Celibashi raporton për problematika dhe pjesëmarrje të ulët në orët e para të votimit në Shqipëri
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka bërë të ditur detaje mbi ecurinë e procesit të votimit në Shqipëri deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas tij, procesi nuk ka nisur pa probleme në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa pjesëmarrja e votuesve deri tani është shënuar në 13.54%.
Celibashi raportoi se 8% e Qendrave të Votimit (QV) janë hapur me vonesë, nga ora 7:00 deri në 8:00. Gjithashtu, në mbi 5% të QV-ve nuk kanë qenë të pranishëm të shtatë anëtarët e komisionit në momentin e hapjes. Ai theksoi se në të gjitha QV-të kanë qenë të pranishëm vëzhgues të partive politike.
Më tej, Celibashi bëri të ditur se në 5% të QV-ve ka pasur raportime për tensione dhe vonesa të shkaktuara nga grumbullime të njerëzve që nuk duhej të ishin aty. Ai shtoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ndërhyrë dhe situata është stabilizuar.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Celibashi lidhet me personat me aftësi të kufizuara, ku në 21% të rasteve të verifikuara, këta persona nuk janë asistuar në bazë të procedurave të Kodit Zgjedhor.
Pas nisjes së procesit, në 6% të QV-ve ka pasur ndërprerje për shkak të problemeve teknike, por sipas kryekomisionerit, situata është stabilizuar pas ndërhyrjes së inspektorëve të KQZ-së.
Pjesëmarrja e votuesve deri në këtë moment është 13.54%, një shifër që do të monitorohet gjatë gjithë ditës për të parë nëse do të ketë ndryshime.