BQK: Rreth 2.5 milionë copë monedha prej 2 eurosh largohen nga përdorimi

13.05.2024

Banka Qendrore e Kosovës  (BQK) i ka paraqitur sot rezultatet lidhur me luftën ndaj parave të falsifikuara dhe nga zbatimi i masave të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, deri në prill të vitit 2024.

BQK: Rreth 2.5 milionë copë monedha prej 2 eurosh largohen nga përdorimi Foto: Ilustrim

Në njoftimin e lëshuar thuhet se janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh.

“Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54,000 copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara.  Është furnizuar ekonomia me afro 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar”.

” Është furnizuar ekonomia me afro 5.82 milionë copë kartëmonedha euro plotësisht të reja dhe të përshtatshme për riqarkullim ne shume prej 261.6 milionë euro.  Janë importuar monedha krejtësisht të reja 5 milionë copë, ose 8 milionë euro. Janë eksportuar 2.4 milionë copë (2.8 milionë euro) të monedhës 2 euro (të tërhequra nga qarkullimi)”, thuhet në njoftim.