Blerja e sistemit raketor “Javelin”, Maqedonci: Parashihet të blihen edhe sisteme të tjera armatimi

11.01.2024

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”, ku pas kësaj pritet edhe aprovimi nga Kongresi amerikan. Në lidhje me këtë ka folur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për Dukagjinin, i cili ka theksuar se përveç sistemit raketor “Javelin”, parashihet të blihen edhe sisteme tjera të armatimit. “Ministria […]

Blerja e sistemit raketor “Javelin”, Maqedonci: Parashihet të blihen edhe sisteme të tjera armatimi Foto: Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”, ku pas kësaj pritet edhe aprovimi nga Kongresi amerikan.

Në lidhje me këtë ka folur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për Dukagjinin, i cili ka theksuar se përveç sistemit raketor “Javelin”, parashihet të blihen edhe sisteme tjera të armatimit.

“Ministria e Mbrojtjes mbështet Forcën e Sigurisë se Kosovës për t’i ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes së territorit në koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara te Amerikës, në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës me ShBA-të ka program bashkëpunimi për blerje ushtarake direkt me ShBA përmes programit FMS (Foreign Military Sales)”, tha Maqedonci.

“Në kuadër të këtij programi parashihen blerjet ushtarake, duke përfshirë sistemin raketor antitank ‘Javelin’, por dhe sisteme tjera të armatimit. Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar dhe pranuar kërkesa dhe për këtë rast blerje kam diskutuar në Departamentit të Shtetit dhe Departament të Mbrojtjes. Sipas informacioneve publike që keni marrë edhe nga ambasadori Hill, kjo lëndë tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”, ka thënë Maqedonci.

Pranimin e kërkesës nga ShBA-ja e bëri të ditur ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Gjithashtu, Hill e ka njoftuar edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili u shpreh “shumë i zhgënjyer”.