Bislimi: Takimi me Petkoviq në Bruksel përfundoi pa rezultat në tema të rëndësishme
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takimi mes tij dhe homologut të vet serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, përfundoi pa “asnjë rezultat në temat e rëndësishme” të enjten në Bruksel.
Foto: Ilustrim
Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut Mirosllav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht, për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve të kaluar në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Zyra e Kryeministrit thotë se në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.
“Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve”, njofton Zyra e Kryeministrit.