Bekë Berisha kandidat i AAK-së për kryetar të Prishtinës

04.06.2025

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zyrtarizuar kandidaturën e deputetit Bekë Berisha për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale. 

Lajmi u konfirmua nga vetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj.

Në një intervistë për T7, Haradinaj e cilësoi Berishën si një figurë të përgatitur dhe një njohës të thellë të kryeqytetit. “E kemi identifikuar kolegun tonë Bekë Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës me shumë mandate, për kandidat për Prishtinë”, tha Haradinaj.

Ai theksoi lidhjen e ngushtë të Berishës me Prishtinën dhe cilësitë e tij personale. “Jeton në Prishtinë që nga paslufta, është mjaft i integruar, i njeh specifikat e qytetit. Beka është mjaft i ngritur, inteligjent e intelektual, por nuk e ekspozon”, shtoi Haradinaj, duke lënë të kuptohet se Berisha është një personalitet më i rezervuar, por me aftësi të spikatura.

Kandidatura e Berishës pritet të shtojë konkurrencën në garën për kryetar të kryeqytetit, duke sjellë një emër me përvojë politike dhe njohuri të drejtpërdrejtë të problemeve dhe nevojave të Prishtinës.