BE: Sulmet e Qeverisë ndaj Prokurorisë minojnë pavarësinë institucionale

02.03.2024

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në fjalën e tij në konferencën vjetore të prokurorëve, ka deklaruar se ata luajnë një rol jetik në sistemin e drejtësisë.

BE: Sulmet e Qeverisë ndaj Prokurorisë minojnë pavarësinë institucionale Foto: Ilustrim

Ai theksoi se prokuroria është shtylla e shtetit ligjor dhe një nga themelet e funksionimit të demokracisë.

Duke folur për rolin e një prokurori, Szunyog tha se puna e tij ka të bëjë me sigurimin e dënimeve dhe në të njejtën kohë me mbrojtjen e sistemit ligjor, duke respektuar parimin se “Askush nuk është mbi ligjin” dhe duke dëshmuar se drejtësia është e verbër ndaj pushtetit.

Ai gjithashtu përmendi edhe sulmet e Qeverisë në drejtim të Prokurorisë duke thënë se këto sulme tentojnë të ushtrojnë ndikim të padrejtë dhe të njejtët minojnë pavarësinë e institucioneve.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë tha se prokuroria duhet të jetë e hapur pasi ajo është pjesë e sistemit kushtetues, ku kompentencat e institucionit janë të balancuara.

Duke folur për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, Szunyog tha se kjo çështje nuk duhet të zgjatet dhe se kjo po ndikon negativisht në sistemin prokurorial.

Ai përmendi edhe reformën e drejtësisë për të cilën tha se synon vlerat e sundimit të ligjit e llogaridhënien si dhe efikasitetin.