BE hap rrugën për heqjen e roaming-ut me Ballkanin Perëndimor

03.06.2026

Bashkimi Evropian ka miratuar nisjen e negociatave për heqjen e tarifave të roaming-ut me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Vendimi është konfirmuar në nivel të ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së dhe pritet të formalizohet në mbledhjen e Këshillit të BE-së më 4 qershor. Pas kësaj, negociatat do të zhvillohen në mënyrë të veçantë me secilin shtet të rajonit.

Sipas zyrtarëve evropianë, qëllimi është që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë nga modeli “Roam Like at Home”, i cili aktualisht zbatohet brenda BE-së dhe lejon përdorimin e telefonit pa tarifa shtesë për thirrje, SMS dhe internet.

Komisioni Evropian kishte propozuar më herët zgjerimin e këtij sistemi edhe për rajonin, ndërsa pritjet janë që negociatat të përfundojnë deri në fund të vitit. Nëse gjithçka ecën sipas planit, heqja e roaming-ut mund të realizohet gjatë vitit të ardhshëm.

Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm drejt afrimit digjital dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.