Komisionarja e BE-së kundër Paunoviqit: “E paimagjinueshme që ajo të vazhdojë të jetë ministre pas deklaratave për Kosovën”
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, duke thënë se është e papranueshme që ajo të vazhdojë të mbajë postin qeveritar.
Foto: Portrait of Marta Kos, designate European Commissioner
Gjatë një adresimi në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane në Parlamentin Evropian, Kos deklaroi se deklaratat për “spastrim etnik në Kosovë” kanë qenë tronditëse dhe se politikanët në vendet kandidate për anëtarësim në BE duhet të jenë të vetëdijshëm për peshën e fjalëve të tyre.
“Është tronditëse të dëgjosh diçka të tillë në vitin 2026. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, ka thënë Kos.
Edhe Bashkimi Evropian kishte reaguar më herët ndaj deklaratave të Paunoviqit. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, kishte theksuar se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik.
Deklaratat e ministres serbe kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe jashtë saj, ndërsa autoritetet kosovare kanë kërkuar që ato të hetohen nga institucionet përkatëse.
