Bastisjet nga Specialja, reagon Klinaku: Spektakël i radhës

07.03.2024

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku, ka reaguar në lidhje me bastisjet e fundit të Gjykatës Speciale të Hagës.

Bastisjet nga Specialja, reagon Klinaku: Spektakël i radhës Foto: Ilustrim

Bastisje të enjten janë kryer në shtëpinë e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi në lagjen “Qëndresa” në Veternik.

E sipas Klinakut, ky është spektakël i radhës nga ana e Speciales.

“Siç po raportohet në media, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke kryer bastisje në Kosovë. Njëra prej tyre është në shtëpinë e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi. Edhe këto bastisje që po ndodhin sot, janë vetëm një spektakël i radhës nga ana e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, në media është raportuar se edhe shtëpia e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka qenë cak i bastisjes nga Specialja, por ai e ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, nuk ka pasur bastisje. S’ka pasur bastisje, kam pas një kontakt me ta për punën që e bëj atje, por jo as bastisje, as polici as kurrgjë tjetër. Po më vjen keq që e kanë qit lajmin”, ka thënë Kuçi.

Ai është i angazhuar si këshilltar në ekipin mbrojtës të Kadri Veselit, i cili po gjykohet në Hagë.