Bajrami: LDK do të marrë pjesë në takimin me Kurtin, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga VV

27.06.2025

Deputetja e betuar e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se LDK do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili pritet të mbahet të shtunën.

Pavarësisht kritikave të drejtuara ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për, siç u tha, mungesë të bashkëpunimit, Bajrami njoftoi se LDK ka vendosur të jetë pjesë e këtij takimi.

“LDK do të marrë pjesë nesër në takim, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga VV,” deklaroi Bajrami për media.

Ajo rikujtoi se gjatë takimit konsultativ të mbajtur para seancës konstituive të Kuvendit, ku morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ishte i pranishëm.

“Kurti nuk e mori mundin të marrë pjesë në takimin konsultativ me liderët e partive. Kjo flet shumë për gatishmërinë e tij për bashkëpunim,” theksoi Bajrami.

Takimi i së shtunës është thirrur në përpjekje për të tejkaluar bllokadën institucionale dhe për të arritur dakordim ndërpartiak rreth konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit të tij.