Avokati Koci e quan paradoksal aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese

06.01.2021

Avokati kosovar, Arianit Koci e ka quajtur paradoksal aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e kandidaturës për pozitën e deputetit nga personat e dënuar për vepra të ndyshme penale. Koci e quan paradoks pikën ku thuhet se “Kushtetuta dhe ligjet përkatëse nuk lejojnë që personi i dënuar për vepër penale as të kandidojë në […]

Avokati Koci e quan paradoksal aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Foto: Ilustrim

Avokati kosovar, Arianit Koci e ka quajtur paradoksal aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e kandidaturës për pozitën e deputetit nga personat e dënuar për vepra të ndyshme penale.

Koci e quan paradoks pikën ku thuhet se “Kushtetuta dhe ligjet përkatëse nuk lejojnë që personi i dënuar për vepër penale as të kandidojë në zgjedhje (nëse ka qenë i dënuar për vepër penale gjatë tri viteve të fundit) e as të ushtrojë detyrën e deputetit (nëse me vendim gjyqësor të formës së prerë është dënuar me një apo më tepër vite burgim)”.

Sipas tij, në të njëjtin aktgjykim, Kushtetutesja ia lejon ndonjë deputeti të ushtrojë detyrën e deputetit edhe nëse dënohet gjatë kohës sa është deputet deri në një vit burgim.

Koci ka thënë se më këtë logjikë, është duke u bërë një diferencim mes kandidimit dhe ushtrimit të postit të deputetit.

“Kur kandidon, duhet me qenë i padënuar – qoftë edhe për vepra penale pa pasoja juridike, ndërsa pasi të bëhesh deputet, bën me qenë kriminel, ama mos me e tepruar shumë. Në anën tjetër, sipas këtij aktgjykim, në mënyrë implicite veprat penale pa pasoja juridike nga neni 93 paragrafi 2 të Kodit Penal (vërejtja gjyqësore dhe dënimi me gjobë), në fakt qenkan vepra me pasoja juridike”, ka shkruar Koci në një postim në facebook.

Postimi i plotë:

Paradoksi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

1.Pika 258 e Aktgjykimit:

Megjithatë, Gjykata thekson se – përtej çështjes që ngrihet lidhur me mundësinë e humbjes së mandatit të deputetit si pasojë e dënimit për vepër penale gjatë një legjislature të caktuar – Kushtetuta dhe ligjet përkatëse nuk lejojnë që personi i dënuar për vepër penale as të kandidojë në zgjedhje (nëse ka qenë i dënuar për vepër penale gjatë tri viteve të fundit) e as të ushtrojë detyrën e deputetit (nëse me vendim gjyqësor të formës së prerë është dënuar me një apo më tepër vite burgim).

2.Sipas Gjykatës Kushtetuese, personi i dënuar për vepër penale – madje edhe me vërejtje gjyqësore në tri vitet e fundit, NUK mund të kandidoj në zgjedhje.

Por, sipas të njejtës Gjykatë, deputeti MUND të ushtrojë detyrën e deputetit, nëse dënohet me burgim deri në një vit.Pra, nuk janë kriteret e njejta për kandidim dhe për ushtrim të detyrës së deputetit.

A ka logjikë kjo?

Po bëhet diferencim në mes të kandidimit dhe ushtrimit të postit të deputetit.

Kur kandidon, duhet me qenë i padënuar – qoftë edhe për vepra penale pa pasoja juridike, ndërsa pasi të bëhesh deputet, bën me qenë kriminel, ama mos me e tepru shumë.

3.Në anën tjetër, sipas këtij aktgjykim, në mënyrë implicite veprat penale pa pasoja juridike nga neni 93 paragrafi 2 të Kodit Penal (vëretja gjyqësore dhe dënimi me gjobë), në fakt qenkan vepra me pasoja juridike.

4.Gjykata Kushtetuese i referohet nenit 29/1 Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenit 70/1 të Kushtetutës, por nuk i referohet nenit 93/2 të Kodit Penal.

Sidoqoftë, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në një rast penal, nuk mund të interpretohet i shkëputur prej nenit 93/2 të Kodit Penal të Kosovës.