Ambasada Britanike vlerëson operacionin e përbashkët të KFOR-it dhe FSK-së në Liqenin e Ujmanit

30.07.2025

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka përgëzuar bashkëpunimin ndërmjet misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të operacionit të kërkim-shpëtimit të ndërmarrë pas zhdukjes tragjike të një personi në Liqenin e Ujmanit (Gazivodës). Në një deklaratë zyrtare, Ambasada britanike theksoi se ky operacion, i […]

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka përgëzuar bashkëpunimin ndërmjet misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të operacionit të kërkim-shpëtimit të ndërmarrë pas zhdukjes tragjike të një personi në Liqenin e Ujmanit (Gazivodës).

Në një deklaratë zyrtare, Ambasada britanike theksoi se ky operacion, i zhvilluar me autorizimin e Komandantit të KFOR-it për përfshirjen e ekipeve të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së, dëshmon për aftësitë e avancuara të kësaj force dhe për përputhjen e veprimit me marrëveshjet ekzistuese ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.

“Operacioni është testament për përsosmërinë e aftësive të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së dhe në përputhje me marrëveshjet e gjata midis KFOR-it dhe FSK-së. Ne e përgëzojmë KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë gjithë këtij operacioni dhe i ofrojmë ngushëllime familjes së njeriut që mjerisht humbi jetën,” thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, Britania e Madhe rikonfirmoi përkushtimin e saj për të mbështetur misionin e KFOR-it dhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Ajo vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në situata emergjente dhe operacione me ndjeshmëri të lartë.

Operacioni në Liqenin e Ujmanit u zhvillua pas raportimeve për një person të zhdukur, duke mobilizuar mekanizmat e nevojshëm për kërkim dhe reagim të shpejtë.