AKB : Rritja e energjisë elektrike nxit inflacionin

28.04.2025

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur alarmin lidhur me rritjen e fundit të çmimit të energjisë elektrike, duke paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike në vend.

Sipas AKB-së, kjo rritje do të përshpejtojë inflacionin, do të rrisë varfërinë dhe do të thellojë krizën ekzistuese ekonomike në Kosovë.

Në një reagim zyrtar, AKB thekson se rritja prej 16% e çmimit të energjisë elektrike pritet të ketë një ndikim të menjëhershëm dhe të ndjeshëm në rritjen e inflacionit. Organizata kujton se vetëm gjatë muajve të fundit, inflacioni ka shënuar një rritje prej rreth 4%, dhe kjo pa përfshirë ende efektin e tarifave të reja të energjisë.

“Me aplikimin e tarifave të reja, inflacioni pritet të përshkallëzohet edhe më tej, duke goditur drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke rritur koston e jetesës,” thuhet në deklaratën e AKB-së.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, shprehet se kjo situatë e re do të rëndojë edhe më shumë pozitën ekonomike të qytetarëve, duke shtuar numrin e familjeve në varfëri. Ai gjithashtu vë në dukje se bizneset tashmë kanë filluar të analizojnë koston e rritur të energjisë, e cila pritet të reflektohet në rritjen e çmimeve të shërbimeve dhe produkteve për konsumatorët kosovarë.

Zoti Shahini i bën thirrje institucioneve përkatëse që të rishqyrtojnë me urgjencë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ai thekson se në këtë periudhë sfiduese ekonomike, përkrahja e qytetarëve dhe bizneseve duhet të jetë prioriteti kryesor i vendimmarrësve, pavarësisht ngërçit politik aktual.

“Ne besojmë se përkrahja e qytetarëve dhe bizneseve, veçanërisht në këtë periudhë sfiduese ekonomike, duhet të jetë prioritet i padiskutueshëm i institucioneve të vendit pa varësisht ngërçit politik që po godet në formë tjetër ekonomin dhe imazhi e Kosovës,” përfundon reagimi i Aleancës Kosovare të Bizneseve.