PDK dhe NISMA arrijnë marrëveshje politike e elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit

25.05.2026

PDK-ja dhe NISMA Socialdemokrate kanë formalizuar një marrëveshje politike dhe elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit.

Marrëveshja u arrit pas takimit mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj, në selinë e NISMA-s.Limaj deklaroi se dy subjektet kanë arritur pajtim për një bashkëpunim strategjik politik, elektoral dhe qeverisës, duke theksuar orientimin euroatlantik dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, Hamza e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit afatgjatë politik dhe institucional, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që më 7 qershor “t’i thonë stop krizës dhe ta ndryshojnë Kosovën”.

Kjo marrëveshje vjen pasi më herët brenda PDK-së kishte pasur debat lidhur me përfshirjen e NISMA-s dhe të Limajt në listën zgjedhore të partisë. Megjithatë, palët tashmë kanë konfirmuar bashkëpunimin për zgjedhjet parlamentare.