A do të mbyllen shkollat pas rritjes së rasteve me COVID-19, flasin nga MASHTI
Nga fillimi i këtij muaji në vend tonë ka filluar të ketë rritje të rasteve të infektimeve me COVID-19. Institucionet shëndetësore dhe shtetërore vazhdimisht janë duke bërë thirrje për vaksinim kundër COVID-19 si dhe respektim të masave anti-COVID, pasiqë këto janë armët më të forta që luftojnë pandeminë. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit […]
Nga fillimi i këtij muaji në vend tonë ka filluar të ketë rritje të rasteve të infektimeve me COVID-19.
Institucionet shëndetësore dhe shtetërore vazhdimisht janë duke bërë thirrje për vaksinim kundër COVID-19 si dhe respektim të masave anti-COVID, pasiqë këto janë armët më të forta që luftojnë pandeminë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë për vitin shkollor 2021/2022, u ka bërë thirrje nxënësve dhe stafit të mësimdhënësve që të respektojnë masat anti-COVID, pasiqë shkollat janë të parat që duhet të hapen dhe të fundit që të mbyllen.
Në shkollat e Komunës së Suharekës fatmirësisht gjendja me pandeminë COVID-19 është e qetë, ku drejtori i Arsimit në komunën tonë, Remzi Bajselmani për SuharekaOnline ka thënë se është vetëm një mësimdhënëse e infektuar me këtë virus në shkollën fillore në Leshan, ndërsa përpos kësaj nuk ka asnjë nxënës apo mësimdhënës të infektuar.
Rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 po vazhdon nga dita në ditë, ku vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 728 raste të infektimeve me COVID-19.
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme është bërë e ditur se shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë ka kaluar në skenarin C të mësimit, pra në online, kjo për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19 te mësimdhënësit dhe nxënësit.
Nga MAShTI kanë bërë të ditur se janë Task Forcat në nivel komune që e bëjnë vlerësimin dhe marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor, por nuk kanë bërë të ditur se sa është numri i shkollave në nivel vendi që kanë kaluar në skenarin C, në mësimin online.
Iliriana Pylla, zëdhënëse në MASHTI tha për Telegrafin se MASHTI apelon vazhdimisht që procesi mësimor të vazhdojë ose me prezencë fizike ose sipas skenarëve të paraparë me Udhëzimin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.
“Mund t`ju themi se aty ku situata pandemike është më e rënduar është në kompetencë të Task Forcave të shkollave dhe komunave që të vendosin për organizimin e mësimit në distancë për klasën apo shkollën, deri në përmirësim të kësaj situate”, tha ajo.
Sipas saj, rëndësia e respektimit të masave dhe përcjelljes së vazhdueshme të situatës pandemike në nivel klase e shkolle, planifikimi i mirë, njoftimi me kohë dhe bashkëpunimi me prindër në rastet kur kalohet në ndonjë nga skenarët tjerë të mësimit është përgjegjësi e të gjithë akterëve e veçanërisht i udhëheqësve të shkollave.
Drejtoritë Komunale të Arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKSHPK dhe për dezinfektim të vazhdueshëm të hapësirave shkollore”, tha tutje Pylla.
Ndryshe, sipas zëdhënëses së MASHTI-it, përveç mësimit me prani fizike në shkollë, MASHTI ka në dispozicion edhe mundësitë për organizimin e mësimit online nëse paraqitet nevoja, si video-mësimet sipas planprogramit të klasave 1-9, që po vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), e që gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI, sikur edhe në platformën mësimore shkollat.org.
“Shkollat janë të lira të shfrytëzojnë edhe platforma dhe aplikacione të tjera”, tha ajo.
Kujtojmë se, gjatë ditës së djeshme komisioni këshillëdhënës për masat kundër COVID-19 ka mbajtur takim në Ministri të Shëndetësisë ku ka diskutuar për situatën epidemiologjike në vend dhe për shqyrtimin e masave anti covid në fuqi.
Në këtë takim është theksuar nevoja e respektimit të plotë të masave të ndërmarra më parë përmes mbikëqyrjes së zbatimit të tyre nga të gjitha institucionet përgjegjëse, ndërkohë që popullatës i është bërë thirrje që të vaksinohen plotësisht përfshirë edhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.
Komisioni ka theksuar se janë duke u analizuar indikatorët kryesorë që pasqyrojnë situatën epidemiologjike në vend, ndërsa secili veprim apo masë që do të propozohet do të ketë për qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit si dhe parandalimin e formave të rënda të sëmundjes që rrisin ngarkesën spitalore dhe vdekjet, nga varianti Omicron apo variantet e tjera në qarkullim të SARS COV-2.
MSh thekson se mekanizmat anti- COVID-19 do t’i marrin për bazë indikatorët shëndetësor për të propozuar masa sa më adekuate lidhur me COVID-19 në Kosovë.
Deri në ndryshimin e masave në fuqi, MSh u bën thirrje qytetarëve që të rrisin kujdesin dhe të vaksinohen pa humbur kohë.