87 vatra zjarri në Kosovë, 8 ende aktive

18.08.2025

Agjencia për Menaxhim të Emergjencave (AME) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, më 17 gusht, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 87 vatra zjarri.

Nga këto, 79 janë lokalizuar me sukses, ndërsa 8 të tjera kanë mbetur aktive dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e mëtejshme të njësive në terren. Menaxhimi i situatës është duke u zhvilluar në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

Autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.

Agjencia ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilët janë duke menaxhuar situatën në terren.