Prizren, tre fëmijët e shpëtuar nga zjarri janë në gjendje stabile

30.12.2025

Tre fëmijët që u shpëtuan nga zjarri që përfshiu një shtëpi banimi në Prizren janë në gjendje stabile shëndetësore.

Kështu ka bërë të ditur Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit, duke sqaruar se fëmijët e shtrirë për trajtim janë të moshave 4, 6 dhe 10 vjeç. Ata janë dërguar në repartin e pediatrisë si pasojë e intoksikimit nga tymi dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

“Sot, rreth orës 10:25, me autoambulancën e Urgjencës së qytetit, në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm ‘Prim. Dr. Daut Mustafa’ në Prizren është sjellë një fëmijë pa shenja jete, nga një shtëpi që ishte kapluar nga flaka. Mjeku i emergjencës ka konstatuar vdekjen e fëmijës, i lindur në vitin 2024”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Nga i njëjti rast tragjik, një fëmijë rreth moshës 1 vjeçe ka humbur jetën si pasojë e zjarrit, ndërsa tre fëmijët e tjerë janë jashtë rrezikut për jetë.

Spitali ka bërë të ditur se gjendja e tyre është stabile dhe se po vazhdojnë trajtimin nën mbikëqyrje të stafit mjekësor në repartin e pediatrisë.