633 raste zjarresh në një javë në Kosovë, AME: Situata shqetësuese dhe serioze
Kosova po përballet me një valë të madhe zjarresh që kanë përfshirë të gjithë territorin e saj, ka bërë të ditur Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME).
Kreu i agjencisë, Genc Metaj, në një konferencë për media, tha se vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 633 raste të zjarreve, duke e cilësuar situatën si tepër shqetësuese dhe serioze.
“Vendi është duke u përballur me zjarre të shumta në gjithë territorin. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, në koordinim të plotë me njësitë e zjarrfikësve në terren, qendrat operative emergjente, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe autoritetet lokale, është e angazhuar maksimalisht për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e pasojave. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 633 raste zjarresh. Më e rënduar ka qenë situata në fshatrat Kçiq i Vogël, Zasellë, Dumnicë, Merdare dhe Orllan, ku është rrezikuar jeta e njerëzve…”, deklaroi Metaj.
Ai shtoi se falë ndërhyrjes së shpejtë, zjarret janë lokalizuar dhe rreziku është shmangur.