Zjarre, vërshime, aksidente – AME me mijëra intervenime gjatë vitit 2025

24.12.2025

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) ka shënuar një vit me angazhim të shtuar gjatë vitit 2025, duke realizuar dokumente të rëndësishme strategjike për rritjen e gatishmërisë kombëtare ndaj fatkeqësive natyrore, si dhe duke përballuar mijëra intervenime në terren, veçanërisht gjatë muajve më të ndjeshëm të verës.

Drejtori ekzekutiv i AME-së, Genc Metaj, ka folur për arritjet, sfidat dhe reagimin institucional ndaj emergjencave, duke theksuar se ky vit ka qenë ndër më të ngarkuarit për agjencinë, si në aspektin strategjik ashtu edhe operacional.

Sipas Metajt, gjatë vitit 2025 janë realizuar një sërë aktivitetesh që kanë kontribuar në përmirësimin e vazhdueshëm të performancës së agjencisë dhe në forcimin e sistemit kombëtar të menaxhimit të emergjencave. Në mesin e dokumenteve kyçe të miratuara përfshihen programi i ushtrimeve dhe vlerësimi i gatishmërisë kombëtare, hartimi i pesë kornizave kombëtare në fushat e parandalimit, mbrojtjes, zbutjes, reagimit dhe rimëkëmbjes, si dhe dokumenti i vlerësimit të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

Po ashtu, janë hartuar 15 funksione mbështetëse sipas Planit të Reagimit Kombëtar, plani i integritetit, plani i performancës dhe është zbatuar plani i veprimit i Strategjisë shtetërore për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. Një hap i rëndësishëm, sipas tij, ka qenë edhe miratimi i projektit për themelimin e njësive të reja të kërkim-shpëtimit.

Sa i përket reagimit operacional, Metaj theksoi se qendrat operative emergjente të AME-së kanë funksionuar pa ndërprerje, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, duke pranuar thirrje emergjente dhe duke koordinuar veprimet me institucionet relevante.

“Koordinimi i shpejtë dhe reagimi institucional janë thelbësore në situata emergjente. Gjatë kësaj vere kemi pasur një situatë tejet të rëndë, sidomos sa i përket zjarreve”, tha Metaj.

Sipas të dhënave zyrtare, periudha më e ndjeshme e vitit kanë qenë muajt korrik, gusht dhe shtator, gjatë së cilës janë regjistruar gjithsej 7,091 intervenime në zjarre. Përveç kësaj, janë realizuar 320 intervenime në raste vërshimesh dhe thithje uji, 272 intervenime në aksidente rrugore, si dhe 2,983 intervenime teknike dhe shërbime të ndryshme.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave vlerëson se këto rezultate janë dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm institucional për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit, duke synuar një sistem gjithnjë e më të përgatitur për përballimin e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera në Kosovë.