350 rekrutë të rinj i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës në ceremoninë e betimit në Ferizaj
Sot në Sallën e Sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj, është mbajtur ceremonia solemne e betimit dhe certifikimit të gjeneratës së dytë të vitit 2025 të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në këtë ceremoni të rëndësishme, 350 të rinj u betuan dhe nga pjesëtarë civil kaluan zyrtarisht në shërbim ushtarak.
Ngjarja u zhvillua në prani të shumë personaliteteve të njohura, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ministrin në detyrë të Mbrojtjes Ejup Maqedonci, kryetarin e komunës së Ferizajt Agim Aliu, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore e ndërkombëtare.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij para rekrutëve dhe të pranishmëve, theksoi rëndësinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës si një prej institucioneve më të besueshme dhe me rritje më të shpejtë në vend.
“Me mbi 300 milionë euro investime në këto katër vitet e fundit dhe me mbi 2700 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar, Ushtria e Kosovës me hapa të shpejtë po ecë me kapacitete të plota drejt zhvillimit si ushtri profesionale, me përbërje multietnike. Ëndrrën e gjithë atyre që luftuan për liri, sot po e jetësoni ju rekrut të dashur,” tha Kurti.
Ndërkohë, komandanti dhe gjenerali Jeton Dreshaj theksoi se FSK nuk është vetëm një institucion ushtarak, por një simbol i shtetësisë dhe i përkushtimit ndaj vlerave demokratike.
“FSK nuk është vetëm një institucion ushtarak, është simbol i sovranitetit, i përkushtimit ndaj vlerave demokratike dhe partnere e besueshme në arenën ndërkombëtare,” u shpreh ai.
Ceremonia u karakterizua nga solemniteti dhe emocioni, duke reflektuar përkushtimin e institucioneve për zhvillimin dhe fuqizimin e ushtrisë së Kosovës në përputhje me standardet më të larta profesionale.