27-vjetori i Betejës së Morinës, nderim për dëshmorët dhe lavdi për luftën çlirimtare

07.07.2025

Beteja e Morinës, një nga ngjarjet më të lavdishme të luftës për liri, u përkujtua sot në 27-vjetorin e saj në Kompleksin Memorial të Morinës, ku prehen në përjetësi 9 dëshmorë të rënë në betejë kundër forcave serbe.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij në nderim të kësaj epopeje, vlerësoi kontributin heroik të luftëtarëve të Morinës, të cilët, siç tha ai, mbajtën pozicionet më të vështira në luftën për çlirimin e Kosovës. “Sikur mos të kishit luftuar edhe ju, nuk do të ishim çliruar. Për mua është nder të jem me ju sot, ashtu siç kam qenë gjithmonë”, theksoi Haradinaj.

Ndërsa ish-komandanti i Morinës, Sadri Avdyli, tha se beteja përfaqëson një rezistencë të fuqishme për të cilën duhet të krenohet jo vetëm Morina, por i gjithë kombi shqiptar. Ai shprehu shpresën që brezat e rinj të trashëgojnë virtytet dhe sakrificën e dëshmorëve për ta mbrojtur lirinë.

Me dhimbje dhe krenari u shpreh edhe bashkëluftëtari dhe familjari i dëshmorit Hasan Syla. “Ata djem nuk janë vetëm të Morinës, janë djem të këtij vendi, dhe kujtimi i tyre do të jetë i përjetshëm”, tha ai.

Në këtë përvjetor, qytetarë të shumtë dhe familjarë të dëshmorëve vizituan shtëpinë muze brenda Kompleksit Memorial, ku janë ekspozuar gjësendet dhe armët e luftëtarëve të rënë, si simbol i qëndresës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.