​Për tri vjet 133 vetvrasje, kërkohet angazhim institucional për parandalimin e kësaj dukurie

18.09.2021

Brenda tri vitet e fundit në vendin tonë janë kryer 133 vetvrasje, këtu duke përfshirë edhe periudhën prej muajit janar deri në korrik të këtij viti aktual. Ndësa, sa i përket tentim-vetvrasjeve, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në këtë periudhë kohore janë 492 tentim-vetvrasje. Kjo dukuri e keqe është në të gjithë botën […]

​Për tri vjet 133 vetvrasje, kërkohet angazhim institucional për parandalimin e kësaj dukurie Foto: Ilustrim

Brenda tri vitet e fundit në vendin tonë janë kryer 133 vetvrasje, këtu duke përfshirë edhe periudhën prej muajit janar deri në korrik të këtij viti aktual.

Ndësa, sa i përket tentim-vetvrasjeve, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në këtë periudhë kohore janë 492 tentim-vetvrasje.

Kjo dukuri e keqe është në të gjithë botën pa e përjashtuar edhe Kosovën, ku sipas psikologëve dhe sociologëve problemet mendore janë të përditshme.

Por, sipas tyre angazhimi i institucioneve për parandalimin e kësaj dukurie duhet të shtohet.

Disa prej mënyrave që do të ndikonin në uljen e numrit të vetvrasjeve dhe tentim-vetvrasjeve sipas ekspertëve shëndetësorë janë fushatat dhe kampanjat sensibilizuese, diaologu social dhe mënjanimi i stigmës për shëndetin mendor.

Ndërsa, për këto lloj probleme, si në vendet e botës që ekziston një “linjë jete” ku qytetarët kanë mundësi t’u drejtohen për të folur rreth problemeve të tyre në kushte anonimiteti, por për një kohë të gjatë një gjë e tillë në Kosovë ka munguar, por tashmë që nga nëntori i vitit 2019 është hapur një linjë e tillë, linjë kjo e cila merret me njerëzit që kanë mendime për vetvrasje apo edhe kanë nevojë të bisedojnë me dikë.

Dorentina Podrimqaku, menaxhere e projektit në “Linjën e Jetës” tregon aktivitetet që i kanë ndërmarr në muajin që i dedikohet parandalimit të vetëvrasjes.

“Ne gjatë tërë kohës jemi duke bërë edhe trajnime të ndryshme, edhe kampanja të ndryshme përmes rrjeteve tona sociale ku njerëzit munden me e vërejt mënyra qysh me u kujdes për vetën, mënyra se si me u kujdes edhe për tjetrin.

Gjatë këtij muajit d.m.th që është edhe muaji i parandalimit të vetëvrasjes kampanja jonë e ka emrin ‘Fjalë për Fjalë’ që ka për qëllim që sa ma shumë me rrit bisedën për shëndetin mendor edhe me ditë se si po ndihen personat afër neve edhe me anë të kësaj po mundohemi që me ul stigmën për shëndetin mendor dhe me ul stigmën për vetëvrasjen,” ka thënë ajo për KosovaPress.