Vonesat në projektet kapitale, Komuna e Suharekës midis premtimeve dhe realitetit
Raporti i fundit i auditorit ka nxjerrë në pah një panoramë të shpenzimeve kapitale në Komunën e Suharekës, ku nga një buxhet final prej 7,850,524€ për investime, 7,693,387€ janë shpenzuar gjatë vitit 2024.
Foto: Ilustrim
Këto investime janë fokusuar në ndërtimin e rrugëve lokale, kanalizimeve, objekteve arsimore e shëndetësore, si dhe rregullimin e parqeve – projekte thelbësore për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Megjithatë, raporti ngre shqetësime serioze lidhur me vonesat në realizimin e disa prej këtyre projekteve.
Auditori ka identifikuar tre raste kyçe ku punimet nuk janë realizuar sipas planit dinamik të paraparë me kontratë, duke shkelur kështu Rregulloren nr.001/2022 për prokurim publik. Kjo rregullore, në paragrafin 70.23 pika b, thekson qartë përgjegjësinë e menaxherit të kontratës për të siguruar që Operatori Ekonomik kryen punën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara.
Projektet e prekura nga vonesat janë:
- Projekti “Ndërtimi dhe rregullimi i kolektorit në rrugën Skënderbeu”: Nënshkruar më 21.07.2023, me vlerë 929,426€ dhe afat implementimi prej 52 ditësh kalendarike. Ky projekt ishte ende i papërfunduar në fund të vitit 2024.
- Projekti “Ndërtimi i sheshit Brigada 123-vazhdim”: Nënshkruar më 13.11.2023, me vlerë 1,388,907€ dhe afat implementimi prej 160 ditësh kalendarike. Edhe ky projekt mbeti i papërfunduar deri në fund të 2024-ës.
- Projekti “Ndërtimi i parqeve me kënde të lojërave në fshatrat: Duhël, Bllacë, Vraniq dhe Mushtisht”: Nënshkruar më 08.07.2024, me vlerë 86,356.95€ dhe afat implementimi prej 90 ditësh kalendarike. Ky projekt gjithashtu nuk u përfundua brenda afatit të caktuar në fund të vitit 2024.
Auditori thekson se këto vonesa janë rezultat i dështimit të kontrolleve nga ana e menaxherëve të projekteve për të përcjellë zbatimin e kontratave sipas planit.
Mosrealizimi i projekteve sipas kushteve të kontratës ka ndikuar drejtpërdrejt në arritjen e objektivave të përcaktuara nga Komuna e Suharekës. Për më tepër, këto vonesa mund të shkaktojnë vështirësi buxhetore për vitet pasuese, duke lënë projekte të pambaruara dhe duke rritur kostot e mundshme.
Në dritën e këtyre gjetjeve, auditori ka dhënë një rekomandim kyç: Kryetari duhet të sigurojë mekanizma adekuatë në forcimin e kontrolleve në mbikëqyrjen e realizimit të projekteve, në mënyrë që ato të përfundohen me kohë sipas planit dinamik.
Përgjigja e menaxhmentit të entitetit tregon se ata pajtohen me gjetjet dhe rekomandimet e auditorit.