Ish-futbollisti nga Kosova dënohet me tetë vjet burg në Finlandë për trafik droge
Gjykata e Qarkut të Helsinkit ka shpallur vendimin ndaj ish-futbollistit të Veikkausliigës, Albert Kuqi, 33 vjeç, duke e dënuar me tetë vjet burg për tre vepra të rënda penale që lidhen me drogën.
Kuqi, së bashku me dy bashkëpunëtorë, sollën në Finlandë gjithsej 14 kilogramë kokainë në tre raste të ndara gjatë viteve 2024–2025, nga të cilat rreth nëntë kilogramë e gjysmë përfunduan në shpërndarje. Ai ishte i përfshirë në organizimin e logjistikës së grupit, duke siguruar apartamente në Tikkurila (Vantaa) dhe Lauttasaari (Helsinki), si dhe duke ndërmjetësuar me klientë dhe duke mbledhur para nga tregtia e kokainës.
Sipas gjykatës, roli i tij ishte i rëndësishëm, por më i kufizuar krahasuar me dy organizatorët kryesorë, Lulzim Gerxhaliu dhe Ergi Tusha, të cilët u dënuan me nga 10 vjet e dy muaj burg secili. Ata vepronin pjesërisht nga jashtë Finlandës dhe kishin përgjegjësi direkte për organizimin e tregtisë.
Prokuroria kishte kërkuar dënime më të ashpra duke argumentuar se bëhej fjalë për një grup të organizuar kriminal. Por gjykata arsyetoi se niveli i organizimit ishte i ulët dhe nuk plotësonte kriteret e një grupi të mirëfilltë kriminal. Për më tepër, të pandehurit kishin bashkëpunuar gjatë hetimeve paraprake, gjë që ndikoi në uljen e dënimeve. Pa këtë ulje, Kuqi do të kishte marrë mbi 10 vjet burg.
Gjykata urdhëroi konfiskimin e 357,000 eurove fitime të siguruara nga tregtia e drogës. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan gjithashtu mbi 30 kilogramë marijuanë, e cila nuk kishte lidhje me triadën e kokainës, por përfundoi në shpërndarje.
Në këtë proces gjyqësor u përfshinë gjithsej 13 të pandehur. Përveç Kuqit, Gerxhalit dhe Tushës, disa të tjerë morën dënime që variojnë nga dy deri në pesë vjet e tetë muaj burg, ndërsa disa u dënuan me kusht. Tre persona u liruan nga akuzat.
Albert Kuqi kishte qenë pjesë e futbollit profesionist në Finlandë gjatë viteve 2010, ku luajti në Veikkausliiga dhe në ligat e tjera, ndërsa karrierën e tij sportive e përfundoi në vitin 2018.