Përgjimet në ‘SkyECC’ zbulojnë trafik droge dhe pastrim parash, pesë të arrestuar sot në Kosovë

24.09.2025

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar sot në disa lokacione të Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe mbi bazën e urdhrave të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Objektiv i këtij aksioni ishin grupet kriminale të dyshuara për përfshirje në trafikim me narkotikë dhe pastrim parash.

Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë arrestuar së paku pesë persona, të cilët dyshohen se kanë ndërlidhje me grupin e kapur disa muaj më parë gjatë aksionit të njohur “Qielli i thyer”. Gjatë këtij operacioni të fundit janë sekuestruar edhe prova materiale që do të përdoren si dëshmi në procesin e hetimeve.

Hetimet janë zhvilluar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale që lidhen me “krimin e organizuar”, trafikimin e substancave narkotike dhe pastrimin e parave. Prokuroria bën të ditur se veprimet kriminale dyshohet të jenë kryer duke përdorur aplikacionin e komunikimit të koduar “SkyECC”.

Në qershor të këtij viti, në kuadër të aksionit “Qielli i thyer”, autoritetet arrestuan një numër të madh personash të lidhur me të njëjtat veprimtari ilegale, mes tyre: Shemsi Bahtiri, Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Buçetaj, Erduan Ismajli, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Ylli Musliu, Safet Ljajic, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardian Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina dhe Kahraman Aksoy.

Autoritetet theksojnë se shumica prej të dyshuarve kanë të kaluar kriminale, gjë që forcon dyshimet për vazhdimësinë e aktiviteteve të tyre ilegale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se aksioni i sotëm lidhet me dyshimet për trafikim narkotikësh dhe veprat penale që përfshijnë organizimin dhe pjesëmarrjen në grupe kriminale, shpërndarjen dhe shitjen e substancave të ndaluara, si dhe pastrimin e parave.

“Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet pas përfundimit të operacionit policor,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.