Kosova lanson identitetin elektronik, kuletën digjitale dhe nënshkrimin elektronik

1 orë

Kosova ka lansuar tri shërbime të reja digjitale që synojnë lehtësimin e qasjes së qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet publike, përmes identifikimit elektronik, kuletës digjitale dhe nënshkrimit elektronik.

Në kuadër të procesit të transformimit digjital, sot janë lansuar Platforma Kombëtare e Identitetit Elektronik (eID), Kuleta Digjitale (Digital Wallet) dhe aplikacioni për Nënshkrim Elektronik (eSign).

Identifikimi elektronik u mundëson qytetarëve të dëshmojnë identitetin e tyre në mënyrë të sigurt në mjedisin digjital. Ndërkaq, kuleta digjitale mundëson përdorimin e identitetit dhe kredencialeve elektronike, ndërsa përmes aplikacionit eSign qytetarët mund të nënshkruajnë dokumente elektronikisht, pa pasur nevojë për dokumente fizike apo prani në institucione.

Aktualisht, përmes platformës eKosova, qytetarëve dhe bizneseve u ofrohen mbi 330 shërbime digjitale, duke reduktuar nevojën për vizita fizike në institucione dhe procedura administrative.

Me funksionalizimin e këtyre shërbimeve të reja, synohet që gjithnjë e më shumë procedura të përfundojnë tërësisht në mënyrë elektronike, duke krijuar lehtësi edhe për qytetarët që jetojnë dhe punojnë jashtë Kosovës.

Këto zhvillime paraqesin një hap drejt modernizimit të administratës publike, me synimin për të ofruar shërbime më të shpejta, më të thjeshta dhe më të sigurta për qytetarët dhe bizneset.