VV në Therandë kundërshton rritjen e tarifës së mbeturinave në 7.5 euro
VV në Therandë ka kundërshtuar vendimin e Kuvendit Komunal për rritjen e tarifës së menaxhimit të mbeturinave në 7.5 euro.
Përmes një reagimi publik, shefja e grupit të asamblistëve të VV-së, Laureta Tafaj, ka bërë të ditur se muajin e kaluar grupi i tyre kishte votuar që tarifa të rritej nga 4.5 euro në 6 euro, duke e konsideruar atë si një zgjidhje më të përballueshme për qytetarët dhe me synimin për të shmangur rikthimin e propozimit për 7.5 euro.
Sipas saj, në mbledhjen e sotme, shumica në pushtet votoi pro rritjes në 7.5 euro, ndërsa gjatë diskutimeve u tha se qytetarët nuk e kanë problem këtë ngritje të çmimit.
Tafaj theksoi se kjo rritje prej mbi 66.7 për qind e bën Therandën komunën me tarifën më të lartë për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë.Ajo shtoi se çdo vendim që prek drejtpërdrejt standardin jetësor të qytetarëve duhet të jetë transparent, i arsyeshëm dhe në interes të qytetarëve, e jo barrë shtesë për ta.
