LVV akuzon komunën: Po manipulohet me çështjen e pagave të punëtorëve
Në një mbledhje urgjente të thirrur për të diskutuar situatën me punëtorët e Eko Regjionit dhe për të parandaluar grevën, grupi parlamentar i LVV-së në Therandë ka deklaruar se asnjëherë nuk ka qenë kundër rritjes së pagave për këtë kategori.
Përmes një reagimi publik, përfaqësuesja e këtij grupi, Laureta Tafaj, ka theksuar se çështja e rritjes së pagave nuk është paraqitur asnjëherë para Asamblesë si vendim konkret për votim, por vetëm në formë deklarative.
Ajo ka kritikuar kryetarin e komunës për, siç ka thënë, shpifje dhe përpjekje për ta fajësuar opozitën për bllokimin e procesit.
Sipas saj, përgjegjësia qëndron tek ekzekutivi komunal, i cili, sipas pretendimeve të LVV-së, nuk ka siguruar votat e nevojshme nga shumica për të kaluar këtë çështje.
Në fund, Tafaj u është drejtuar punëtorëve të Eko Regjionit, duke shprehur mbështetjen dhe shpresën që në muajin e ardhshëm të realizohet rritja e pagave të tyre, duke i cilësuar ata si të pazëvendësueshëm për funksionimin e shoqërisë.
