Të ardhurat nga Airbnb dhe platformat tjera duhet të deklarohen

14.07.2026

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive apo pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave online si Airbnb, se këto të ardhura janë të obliguara të deklarohen dhe t’i nënshtrohen tatimit sipas ligjit në fuqi.

Sipas ATK-së, analizat e të dhënave kanë evidentuar se një numër personash kanë përfituar të ardhura nga qiraja e pronave, por nuk janë regjistruar, nuk i kanë deklaruar të ardhurat dhe nuk kanë përmbushur detyrimet tatimore.

ATK u ka bërë thirrje këtyre personave që të përmbushin vullnetarisht obligimet e tyre duke u pajisur me numër fiskal, duke deklaruar të ardhurat dhe duke paguar detyrimet tatimore.

Institucioni ka paralajmëruar se posedon të dhëna dhe prova për identifikimin e personave që nuk kanë deklaruar të ardhurat nga qiraja dhe, në rast të mosrespektimit të obligimeve, do të ndërmarrë masa ligjore, përfshirë regjistrimin zyrtar, vlerësimin e detyrimeve, shqiptimin e gjobave dhe masave tjera administrative.

ATK ka theksuar se qëllimi i këtyre veprimeve është luftimi i ekonomisë joformale dhe sigurimi i trajtimit të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.