ATK shënon rritje 14% të të hyrave tatimore në gjashtëmujorin e parë
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka arkëtuar 71.5 milionë euro më shumë të hyra tatimore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 14 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, i cili ka theksuar se rritja e të hyrave është tregues i zhvillimit dhe formalizimit të ekonomisë në Kosovë.
Sipas tij, bizneset kanë deklaruar rreth 130 milionë euro më shumë fitime, ndërsa të hyrat nga Tatimi në të Ardhurat e Korporatave janë rritur për 13.4 milionë euro. Po ashtu, të hyrat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) kanë shënuar rritje prej 28 milionë eurosh.
Hyseni bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 7,150 biznese të reja dhe 17,346 punëtorë më shumë në punësim të deklaruar. Si rezultat, të hyrat nga tatimi në paga dhe nga tatimi në fitimin e bizneseve individuale janë rritur për rreth 30 milionë euro.
Ai theksoi se këto rezultate janë edhe pasojë e përmirësimit të administrimit tatimor dhe rritjes së pajtueshmërisë vullnetare të tatimpaguesve. Sipas tij, masat ndëshkuese janë ulur me rreth 8 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke reflektuar një bashkëpunim më të mirë ndërmjet administratës tatimore dhe bizneseve.
Drejtori i ATK-së vlerësoi se rritja e numrit të bizneseve, punësimit dhe të hyrave për shtetin janë dëshmi se ekonomia e Kosovës po forcohet dhe po krijon më shumë mundësi për qytetarët dhe sektorin privat.
