Situata alarmante në Prevallë, komuna: Terren i rrezikshëm, zjarrfikësve mund t’ju kushtojë me jetë

13.08.2024

Zona e Prevallës tash e disa javë po ballafaqohet me zjarrin e madh që e ka përfshirë atë pjesë.

Situata alarmante në Prevallë, komuna: Terren i rrezikshëm, zjarrfikësve mund t’ju kushtojë me jetë Foto: Ilustrim

Banorët po ndihen të rrezikuar shkaku që flakët kanë nisur t’iu ofrohen edhe shtëpive të banimit.

Madje disa thanë që nga Prevalla janë larguar edhe turistët.

Lidhur me gjendjen e cila po mbizotëron atje, detaje ka dhënë drejtoresha për Emergjenca në komunën e Prizrenit, Ramize Shala.

Ajo tha se gjendja nuk është dhe aq alarmante, pasi që në vendin e ngjarjes janë njësitet relevante të policisë dhe zjarrfikësve.

“I kemi marrë të gjitha masat e sigurisë për të qenë më afër qytetarëve. Jemi në dijeni për situatën dhe jemi në gatishmëri për çdo gjë që na ndodh. Nëse zjarri do t’u ofrohet shtëpive, ekipi i cili ndodhet atje, do të kërkoj përforcime, do të mobilizohemi edhe do të shkojmë atje”, tha ajo në Klan Kosova.

Shala theksoi se “Terreni është i rrezikshëm dhe mund t’u kushtojë me jetë zjarrfikësve”.

Për ta përballuar më lehtë situatën, është kërkuar edhe ndihma e KFOR-it, që të intervenojë.

Por, misioni i NATO-s në Kosovë, ka thënë se do të intervenojë atëherë kur në rrezik të jenë jetët e qytetarëve.