Presidentja Osmani priti Ambasadorin francez, diskutuan për zhvillimet politike dhe bashkëpunimin bilateral
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe në rajon, si dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Guerot për konsultimet që ka zhvilluar me subjektet politike në funksion të zbatimit të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rendit kushtetues dhe demokratik për stabilitetin institucional dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Në komunikatën zyrtare të Presidencës thuhet se palët diskutuan edhe për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, përfshirë fushat me interes të përbashkët si ekonomia, siguria dhe arsimi.
Po ashtu, Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Francës për Kosovën, veçanërisht në rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik.