Presidenti duhet të zgjidhet deri më 4 tetor, Kosova nuk mund të mbahet pafundësisht me ushtrues detyre

31.07.2026

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me afatin kushtetues për ushtrimin e detyrës së Presidentit nga ushtruesi i detyrës, duke theksuar se vendi nuk duhet të mbetet pa President të zgjedhur.

Cakolli ka thënë se zgjidhja për të shmangur një situatë të tillë është zgjedhja e Presidentit, e cila sipas tij duhet të bëhet më së voni deri më 4 tetor.

“Vendi nuk duhet të mbetet pa President. Por as nuk mund të mbahet pa afat me ushtrues detyre”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka theksuar se dështimi eventual i partive politike për ta zgjedhur Presidentin nuk mund të përdoret si arsyetim për tejkalimin e kufirit kushtetues të ushtrimit të detyrës.

Sipas Cakollit, nuk mund të krijohet një praktikë ku, me ndërrimin e Kryetarit të Kuvendit, të nisë një mandat i ri gjashtëmujor për ushtruesin e detyrës së Presidentit.

“E aq më pak për të shpikur një mandat të ri gjashtëmujor për secilin Kryetar të ri të Kuvendit”, ka deklaruar ai.

Cakolli ka paralajmëruar se një interpretim i tillë do ta bënte praktikisht të pakuptimtë ekzistimin e afatit kushtetues, pasi partitë politike do të mund ta bllokonin zgjedhjen e Presidentit, të ndërronin Kryetarin e Kuvendit dhe ta mbanin Presidencën pafundësisht me ushtrues detyre.