Paraburgim për nëntë të dyshuar në rastin e dallavereve me naftë
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit ndaj nëntë personave të dyshuar në një rast që lidhet me krimin e organizuar, shpëlarjen e parave dhe vepra të tjera penale.
Sipas aktvendimit të 3 korrikut 2026, paraburgimi është caktuar ndaj të dyshuarve me inicialet: F.M., F.M., S.K., N.B., D.M., A.M., M.M., N.M. dhe G.Q., pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Të dyshuarit po hetohen për veprat penale të shpëlarjes së parave, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, kontrabandimit të mallrave, shmangies nga tatimi, mbajtjes së paautorizuar të armëve, si dhe falsifikimit të parasë.
Vendimi u mor pas seancës dëgjimore të mbajtur më 3 korrik, ndërsa rasti konsiderohet një nga hetimet më të mëdha të Prokurorisë Speciale, që lidhet me dyshimet për veprimtari të krimit të organizuar dhe pastrim parash.
