Nafta bie mbi 5% në tregjet ndërkombëtare, pas sinjaleve për ulje të tensioneve SHBA-Iran
Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare, pas sinjaleve për ulje të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe mundësisë së përparimit të negociatave për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Foto: Ilustrim
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar, ra rreth 5.6 për qind, duke zbritur në afërsisht 83 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u ul rreth 5.5 për qind, duke u tregtuar pranë 80 dollarëve për fuçi.
Tregjet reaguan pozitivisht ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e sulmeve të reja ajrore ndaj Iranit dhe sinjaleve se negociatat për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit mund të kenë përparuar.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës dhe gazit në botë. Para përshkallëzimit të krizës, përmes saj kalonin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë, ndërsa kufizimet e trafikut detar kanë shtuar pasigurinë në tregjet globale të energjisë.
Megjithatë, situata mbetet e paqartë. Irani ende nuk ka dhënë garanci të qarta për rihapjen e ngushticës, ndërsa disa anije janë përballur me kërcënime gjatë përpjekjeve për të kaluar nëpër këtë korridor detar.
Ndërkohë, Arabia Saudite po përdor më shumë rrugë alternative për transportin e naftës, përfshirë korridoret përmes Bab al-Mandeb, por edhe kjo zonë mbetet e rrezikshme për shkak të tensioneve dhe sulmeve në rajon.
Tregjet tashmë po presin zhvillimet e ardhshme nga negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Një marrëveshje që do të mundësonte rikthimin e qarkullimit normal përmes Hormuzit mund të ndikonte më tej në uljen e çmimeve të naftës dhe në stabilizimin e tregjeve globale të energjisë.
