Nis dezinsektimi në Suharekë dhe zonat endemike kundër rrezikut nga rriqrat
Ka nisur procesi i dezinsektimit në zonat me rrezik të lartë nga Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK), në kuadër të projektit shumëvjeçar për mbrojtjen e shëndetit publik dhe reduktimin e përhapjes së sëmundjes.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka përcjellë nga afër fillimin e këtij procesi në zonat endemike.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, projekti financohet me rreth 971 mijë euro për periudhën 2025–2028 dhe parasheh trajtimin e rreth 5,200 hektarëve çdo vit në komunat më të prekura nga rreziku i EHKK-së.
Dezinsektimi do të zhvillohet në komunat Malishevë, Klinë, Rahovec, Suharekë dhe Drenas, me synim kontrollin dhe reduktimin e përhapjes së rriqrave bartëse të sëmundjes.
Nga MBPZHR bëhet e ditur se gjatë realizimit të projektit do të përdoren preparate të aprovuara dhe metoda të sigurta, në përputhje me standardet profesionale dhe mbrojtjen e mjedisit.
