Nga sot fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën

01.07.2024

Nga sot të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.

Nga sot fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën Foto: Ilustrim

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar ditë më parë se nga 1 korriku do të fillojë të subvencionohet polica kufitare për mërgatën.

 “Bashkë me Ministrin Sveçla, Guvernatorin Ismaili, dhe BKS-në, kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë”, ka njoftuar ministri Murati, të premten në Facebook.

Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse, raporton RTKlive.

Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat, ka bërë të ditur ministri Murati.