Ardian Shala falënderon mërgatën: Mbështetja juaj, shtyllë e fortë për ndryshimin në Suharekë

08.11.2025

Kandidati i LDK për kryetar të Komunës së Suharekës, Dr. Ardian Shala, ka shprehur mirënjohje të veçantë për bashkatdhetarët që po kthehen në vendlindje për ta mbështetur në balotazhin e 9 nëntorit.

Ai ka theksuar se pjesëmarrja e mërgatës në procesin zgjedhor është dëshmi e lidhjes së pandarë me vendin dhe zhvillimin e tij.

Shala ka thënë se mërgata vazhdon të mbetet një nga shtyllat më të forta të LDK-së dhe Suharekës, duke treguar edhe një herë se roli i tyre është vendimtar në momente kyçe politike. Sipas tij, vendosmëria e tyre për të votuar në këto zgjedhje dërgon një mesazh të qartë për nevojën e ndryshimit në qeverisjen lokale.

“Mbështetja e mërgatës për balotazhin e 9 nëntorit tregon se Suhareka ka nevojë për frymë të re, për qeverisje që i shërben të gjithë qytetarëve, e jo një grupi të vogël njerëzish që po ia zënë frymën demokracisë,” ka theksuar ai.

Tutje, Shala ka shtuar se së bashku me qytetarët brenda dhe jashtë vendit, synojnë të rikthejnë komunën në rrugën e zhvillimit dhe dinjitetit.

“Bashkë me mërgatën dhe qytetarët tanë, më 9 nëntor do ta kthejmë Suharekën në rrugën e dinjitetit dhe zhvillimit të merituar,” u shpreh Shala.

Balotazhi për kryetar të Suharekës zhvillohet këtë të diel, ku përballen dy kandidatë: Ardian Shala nga LDK dhe Bali Muharremaj nga AAK.