Bie çmimi i naftës në bursë, tregjet presin zhvillime diplomatike
Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë rënë për të katërtën ditë radhazi, duke prekur të hënën nivelin më të ulët në më shumë se një javë. Investitorët po vlerësojnë shpresat për një përparim diplomatik mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe rikuperimin e pjesshëm të eksporteve saudite.
Foto: Ilustrim
Kontratat e naftës së papërpunuar Brent ranë me rreth 2.1%, në 101.71 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u ul me rreth 2.14%, në 98.15 dollarë për fuçi, duke zbritur sërish nën pragun prej 100 dollarësh. Të dy benchmarkët prekën nivelet më të ulëta që nga 10 shtatori.
Një nga faktorët kryesorë pas rënies janë pritjet se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork mund të ketë zhvillime diplomatike lidhur me konfliktin SHBA-Iran. Këto pritje kanë reduktuar një pjesë të primit të rrezikut gjeopolitik të përfshirë në çmimin e naftës.Në të njëjtën kohë, tregu po monitoron nga afër furnizimet nga Arabia Saudite.
Pavarësisht sulmeve të fundit të Houthive ndaj objektivave në Arabinë Saudite, përfshirë një objekt të Saudi Aramco në Yanbu, një pjesë e eksporteve saudite po vazhdon përmes rrugëve alternative.
Megjithatë, rreziqet për furnizimin global mbeten të pranishme, pasi tensionet në Lindjen e Mesme dhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike mund të ndikojnë sërish në treg nëse përshkallëzohen.
