SHBA-ja nuk përjashton sulme të reja ndaj Iranit, Teherani kërcënon me kundërpërgjigje

14 orë

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa mundësia e një përshkallëzimi të ri ushtarak vazhdon të jetë e pranishme, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e sulmeve të reja ndaj Iranit pas zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA, duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve ushtarake nëse negociatat nuk sjellin rezultat.

Ndërkohë, përfaqësuesit iranianë po zhvillojnë bisedime në Doha të Katarit, në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës së nisur në shkurt të këtij viti.

Negociatat, të cilat kanë hyrë në ditën e tretë, po zhvillohen me ndërmjetësimin e Katarit dhe në koordinim me Uashingtonin. Një nga çështjet kryesore është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës transportohet një pjesë e rëndësishme e naftës në tregjet ndërkombëtare.

Irani ka kërkuar heqjen e sanksioneve amerikane, lirimin e aseteve të ngrira dhe përfundimin e bllokadës ndaj porteve të tij.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se vendi i tij mbetet i gatshëm si për diplomaci, ashtu edhe për mbrojtje ushtarake.

Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë të ditur se Trump ende nuk ka marrë vendim për sulme të reja, duke theksuar se Uashingtoni preferon një zgjidhje diplomatike.

Megjithatë, Teherani ka paralajmëruar se çdo sulm i ri amerikan ose izraelit do të pasohet me kundërpërgjigje ushtarake. Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, u ka kërkuar forcave të armatosura të jenë të përgatitura për çdo skenar.

Konflikti ka shkaktuar pasoja të mëdha në Lindjen e Mesme, ndërsa kufizimet në Ngushticën e Hormuzit kanë shtuar shqetësimet për furnizimin global me naftë dhe stabilitetin e tregjeve ndërkombëtare.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për negociatat dhe mundësinë e shmangies së një përshkallëzimi të ri ushtarak.