Fehmije Gashi-Bytyqi:Dorëheqja e Gazmend Hoxhës, akt i lartë moral, por humbje e madhe për sigurinë e Kosovës

1 orë

Avokatja dhe ish-policja e Kosovës, Fehmije Gashi-Bytyqi, ka reaguar pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës, duke e cilësuar këtë vendim si një akt të lartë moral, por njëkohësisht edhe si humbje të madhe për sigurinë e Republikës së Kosovës.

Përmes një reagimi publik, Gashi-Bytyqi e ka quajtur Hoxhën “hero të gjallë”, duke vlerësuar kontributin e tij në shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri të vendit dhe udhëheqjen e operacioneve delikate policore, përfshirë ato që lidhen me rastin e Banjskës.

Ajo ka ngritur gjithashtu pyetjen nëse është dashur të ndodhte rasti tragjik i Arlinda Zekajt që të vihej në pah mosfunksionimi i duhur i zinxhirit komandues në Policinë e Kosovës dhe që një drejtues me përvojë të jepte dorëheqje.

Në reagimin e saj, Gashi-Bytyqi u është drejtuar edhe politikanëve, duke kërkuar përmirësimin e kushteve të punës për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përfshirë rritjen e pagave, sigurimin shëndetësor, shujtat ushqimore, automjetet, uniformat dhe pajisjet e nevojshme.

Ajo ka theksuar se Policia e Kosovës ishte dhe mbetet institucioni më kredibil në vend.

“Gazmend Hoxha tregoi një akt të lartë moral përmes dorëheqjes së tij, por Kosova humbi një udhëheqës të operacioneve policore, të pakrahasueshëm”, ka përfunduar Gashi-Bytyqi.