Mërgimtari ngre shqetësim për rrugën mbi shkollën në Doberdelan: “Prej 10 vitesh vetëm premtime”

10.09.2026

Një mërgimtar nga fshati Dobërdolan ka ngritur shqetësim për gjendjen e rrugës mbi shkollën, e cila, sipas tij, prej rreth 10 vitesh vazhdon të jetë në gjendje të rënduar, pavarësisht premtimeve për ndërhyrje.

Ai thotë se bëhet fjalë për rrugën që lidh Dobërdolanin me Samadraxhën, të cilën banorët e lagjes, në mungesë të ndërhyrjes institucionale, e kanë mirëmbajtur vetë duke e mbuluar me zhavorr.

“Prej 10 vitesh kjo rrugë është kështu, vetëm po japin premtime. As Komuna e as kryetari nuk marrin përgjegjësi”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe shtyllat elektrike në këtë pjesë të fshatit janë vendosur nga banorët rreth gjashtë apo shtatë vite më parë, ndërsa kërkesat e tij drejtuar Komunës deri më tani nuk kanë sjellë rezultat.

Mërgimtari, i cili jeton jashtë Kosovës dhe ka familjen në vendlindje, kërkon që institucionet komunale ta vizitojnë dhe ta shohin nga afër gjendjen e rrugës.

“Edhe ne jemi pjesë e kësaj komune dhe paguajmë tatime. Kërkojmë vetëm të merren masa”, ka thënë ai.