Kufizimet për kamionët mbi 20 tonë në autoudhë vazhdojnë edhe të hënën
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se kufizimet e përkohshme në qarkullim për automjetet e transportit të mallrave me masë mbi 20 tonë në autoudhë do të mbesin në fuqi edhe gjatë ditës së hënë.
Sipas njoftimit, ndalesa do të zbatohet nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta që pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32°C.
Autoritetet theksojnë se masa synon mbrojtjen e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi i automjeteve të rënda do të lejohet pa kufizime.
Nga ky vendim përjashtohen automjetet e Policisë, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore. Ministria u bën thirrje operatorëve dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufizimet dhe të planifikojnë lëvizjet në përputhje me orarin e përcaktuar.
