Bastisen pesë lokacione në Kosovë për mashtrimet me investime, arrestohen tre persona

4 orë

Një operacion ndërkombëtar kundër mashtrimeve përmes platformave të rreme të investimeve është zhvilluar edhe në Kosovë, ku janë bastisur pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, ndërsa janë arrestuar tre persona.

Operacioni është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, autoritetet gjermane dhe partnerët ndërkombëtarë.

Tre personat me inicialet M.P., I.H. dhe F.Z. dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim, hyrje të paautorizuar kompjuterike dhe mashtrim kompjuterik.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar përkohësisht vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale. Me urdhër të Prokurorisë Speciale, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.

Sipas dyshimeve të hetuesve, personat e përfshirë janë paraqitur si agjentë apo ndërmjetës financiarë, duke mashtruar qytetarë, kryesisht nga vendet gjermanishtfolëse, përmes premtimeve për investime në instrumente financiare dhe kriptovaluta.

Fitimet që shfaqeshin në platformat e investimeve dyshohet se ishin fiktive, ndërsa paratë e transferuara nga viktimat nuk investoheshin sipas premtimeve të dhëna.

Ky operacion është pjesë e një aksioni më të gjerë ndërkombëtar, gjatë të cilit kontrolle janë zhvilluar edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në operacionin në Kosovë kanë marrë pjesë prokurorë dhe hetues nga Gjermania, si dhe ekspertë të kibernetikës nga Europol.

Bashkëpunimi ndërkombëtar është lehtësuar edhe nga Eurojust.

Ndërkohë, sipas njoftimit të Europol-it, hetimi lidhet me një skemë mashtrimi në investime, e cila dyshohet se ka pasur viktima potenciale në të paktën 50 shtete, ndërsa gjatë operacionit ndërkombëtar janë sekuestruar më shumë se 100 serverë.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale, për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë dhe për të gjurmuar pasurinë që mund të rrjedhë nga këto vepra penale.