Ministria e Ekonomisë ndan 1 milion euro për Fondin e Efiçiencës së Energjisë
Ministria e Ekonomisë ka ndarë 1 milion euro për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me qëllim të mbështetjes së programeve për kursimin e energjisë dhe përmirësimin e kushteve të banimit për qytetarët.
Marrëveshja për transferimin e mjeteve është nënshkruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, këto mjete do të shërbejnë për mbështetjen e veprimtarisë së Fondit dhe avancimin e projekteve që synojnë uljen e konsumit të energjisë dhe përdorimin më efikas të saj.
Që nga viti 2019, Qeveria e Kosovës ka ndarë gjithsej 10 milionë euro për këtë Fond, duke mbështetur zgjerimin e masave të efiçiencës së energjisë në mbarë vendin.
Investimet e Fondit përfshijnë renovimin e ndërtesave publike, shtëpive individuale dhe ndërtesave shumëbanesore. Këto projekte synojnë uljen e shpenzimeve për energji, përmirësimin e kushteve të banimit dhe krijimin e kursimeve afatgjata për familjet.
Ministria ka bërë të ditur se mbështetja për Fondin do të vazhdojë edhe në të ardhmen, përmes politikave dhe programeve që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës.
