KQZ: Votimi me postë për zgjedhjet e 7 qershorit nis më 21 maj
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku vendimet janë marrë në procedurë qarkulluese.
Në këtë mbledhje, KQZ ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e planit të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas vendimit të ri, procesi i votimit me postë, i cili ishte planifikuar të fillonte më 25 maj, do të nisë më herët, më 21 maj.
Nga KQZ kanë bërë të ditur se ndryshimi është bërë pas njoftimit nga kontraktori për shërbime postare, sipas të cilit kompania DHL dhe disa shërbime postare në vende evropiane nuk do të punojnë më 25 maj 2026 për shkak të një feste zyrtare.
Si pasojë, gjatë periudhës 22 deri më 26 maj nuk do të ketë shpërndarje dhe pranim të dërgesave postare.
“Kjo është bërë për të shmangur vonesat në dërgimin dhe pranimin e pakove me fletëvotime, ndërsa procesimi dhe dërgimi i tyre për votuesit e regjistruar do të bëhet më herët”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
