KPF-ja procedon për Asamble disa vendime me rëndësi për Komunën e Suharekës
Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) i Komunës së Suharekës ka mbajtur sot mbledhjen e gjashtë të rregullt, në të cilën janë shqyrtuar dhe diskutuar një sërë çështjesh me rëndësi për funksionimin e komunës dhe planifikimin e zhvillimit të saj.
Foto: Ilustrim
Në fillim të mbledhjes, anëtarët e komitetit miratuan procesverbalin nga mbledhja e kaluar. Më pas u shqyrtua projekt-vendimi për miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore për Komunën e Suharekës, dokument që përcakton orientimet financiare dhe zhvillimore për periudhën e ardhshme.
Po ashtu, u diskutua projekt-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm publik për prona private, si dhe projekt-vendimi për formimin e komisionit që do të merret me zbatimin e procedurave dhe vlerësimin e ofertave për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të komunës.
Anëtarët e KPF-së shqyrtuan edhe projekt-vendimin për përcaktimin e vlerës së bonus banimit, si dhe projekt-vendimin për caktimin e lokacionit dhe dhënien në shfrytëzim afatgjatë të një prone të paluajtshme në pronësi të komunës.
Në rend dite ishte edhe raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Suharekës për vitin 2025, ku u diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e paraqitura nga auditorët.
Gjithashtu, u shqyrtua plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit, me qëllim përmirësimin e menaxhimit financiar dhe administrativ.
Pas diskutimeve, anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa dhanë rekomandimet e tyre lidhur me secilën pikë të rendit të ditës. Të gjitha çështjet e shqyrtuara do t’i procedohen Kuvendit Komunal për diskutim dhe miratim në mbledhjet e ardhshme.
