Enver Shabani fiton mandatin e tretë në Asamblenë Komunale – vazhdon rrugëtimin e shërbimit dhe sakrificës
Pas përfundimit të numërimit të votave në Komunën e Suharekës, kandidati i AAK-së dhe dy herë drejtor i Shërbimeve Publike, Enver Shabani, ka siguruar ulësen e tij të tretë në Kuvendin Komunal, duke marrë gjithsej 501 vota.
Foto: Enver Shabani në Thumanë gjatë kërkim-shpëtimit
“501 herë faleminderit!”, ishte mesazhi i tij falënderues, i mbushur me mirënjohje ndaj qytetarëve që vazhduan t’i japin besim për të qenë pjesë e vendimmarrjes lokale edhe për katër vitet e ardhshme.
Por ky mandat, siç e thekson vetë Shabani, nuk është thjesht vazhdimësi politike. Është vazhdim i një misioni. Sepse para se të jetë drejtor apo asambleist, ai është zjarrfikës – një njeri që nuk njeh orar, nuk njeh lodhje dhe nuk njeh distancë mes detyrës dhe jetës. Nga kostumi me kollare, brenda pak minutash shndërrohet në figurën që përballët me flakët, me rrezikun, me jetën e vdekjen – jo për heroizëm romantik, por nga thirrja e brendshme për t’i shërbyer qytetarëve.
Ky rezultat zgjedhor vjen si konfirmim i një besimi të rrënjosur, jo vetëm për punën në institucione, por për shërbimin në terren. Shabani me 57 vite mbi supe vazhdon të jetë në vijën e parë të intervenimeve emergjente, krahas zjarrfikësve më të rinj, duke dëshmuar se shërbimi ndaj komunitetit nuk është detyrë, por identitet.
Një falënderim të veçantë ai ia drejtoi diasporës, ku ka dalë kandidati më i votuar me plot 120 vota – një dëshmi e lidhjes së pandarë mes tij dhe mërgatës suharekase, që prej vitesh e ka parë në momente vendimtare: në vërshime, në zjarre, në tërmete, në aksione shpëtimi ku ka marrë medalje nga Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë.
“Ky mandat i tretë është hyrje në dekadën e dytë të shërbimit tim ndaj qytetarëve. Ju më keni nderuar, dhe unë do të vazhdoj të jem aty ku bie sirena, aty ku ka nevojë qyteti,” ka thënë Shabani.
Me këtë besim të ripërtërirë, Enver Shabani jo vetëm që kthehet si asambleist, por konfirmohet si një prej figurave më simbolike të shërbimit publik në Suharekë – një njeri që politikën e sheh si përgjegjësi, ndërsa qytetarët si familje që nuk braktiset kurrë.