Kontrolle në Prishtinë, Gjilan e Prizren: Tre të arrestuar, sekuestrohen 50 mijë euro

17.06.2026

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari penale, pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK).

Sipas Policisë, aksioni është realizuar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me mbështetjen e njësive tjera policore. Kontrollet janë kryer në tri lokacione të ndryshme në rajonet e Prishtinës, Gjilanit dhe Prizrenit.

Gjatë operacionit, hetuesit kanë sekuestruar prova materiale që dyshohet se lidhen me rastin, përfshirë rreth 50 mijë euro para të gatshme, një veturë, një armë zjarri pa leje, pajisje kompjuterike, telefona mobilë, si dhe dokumente e kontrata të ndryshme.

Të arrestuarit dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, falsifikimin e dokumenteve dhe legalizimin e përmbajtjes së rreme.

Tre të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.