Kërkohet shlyerja e borxheve për ujin: Hidroregjioni Jugor del me thirrje zyrtare
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” u ka bërë një thirrje publike të gjithë konsumatorëve që të tregohen të rregullt në pagesat e faturave të ujit.
Përmes një komunikate zyrtare, kompania ka kërkuar që obligimet financiare të shlyhen brenda afateve të përcaktuara, duke theksuar se pagesat e rregullta janë jetike për funksionimin e sistemit.
Në njoftimin e tyre, institucioni bën të ditur se për të gjithë ata që nuk i përgjigjen kësaj thirrjeje, do të aplikohen masa të rrepta ndëshkuese.
Masa e parë dhe më e shpejtë do të jetë shkyçja direkte nga rrjeti i furnizimit me ujë, ndërsa hapi i dytë do të përfshijë dërgimin e rasteve te përmbaruesit privatë, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Ky paralajmërim vjen si përpjekje e kompanisë për të siguruar qëndrueshmërinë e shërbimit.
Sipas “Hidroregjionit Jugor”, mbledhja e mjeteve financiare është e domosdoshme për të garantuar një furnizim të pandërprerë me ujë për të gjithë qytetarët, prandaj kërkohet bashkëpunimi i menjëhershëm i konsumatorëve për të shmangur procedurat e mësipërme.

